Policia Financiare dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar kanë zhvilluar një aksion të koordinuar dhe bastisje në disa lokacione gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të pakonfirmuara zyrtarisht, në mesin e personave të ndaluar është edhe ish-drejtori i Doganave, Stefan Bogoev.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar e ka konfirmuar zhvillimin e aksionit, por nuk ka dhënë detaje shtesë, duke theksuar se hetimet janë ende në fazë aktive. Bogoev dhe disa persona të tjerë dyshohen për shpërdorime financiare gjatë ushtrimit të detyrës në Dogana.

Stefan Bogoev ka qenë në krye të këtij institucioni nga viti 2023 deri në korrik të vitit 2024. Për momentin, institucionet e drejtësisë nuk kanë publikuar akuza konkrete, ndërsa operacioni në terren vazhdon.