Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se është akredituar zyrtarisht nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC) dhe Federata Botërore e Odave Ekonomike (WCF) për lëshimin e Certifikatave të origjinës "Made in Kosova" me validitet global.
Ky zhvillim përfaqëson një hap thelbësor drejt fuqizimit të eksportit kosovar dhe rritjes së besueshmërisë së produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare. Certifikatat e reja do të garantojnë se produktet e Kosovës plotësojnë standardet e kërkuara nga partnerët tregtarë në mbarë botën.
"Ditë historike për Kosovën dhe ekonominë e saj! Certifikata e Origjinës 'Made in Kosova' tashmë gëzon njohje ndërkombëtare, duke shënuar një arritje të rëndësishme për bizneset dhe prodhuesit vendorë," thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Ky proces mbështet gjithashtu:
- Digjitalizimin e shërbimeve tregtare për të lehtësuar procedurat për eksportuesit.
- Rritjen e dinjitetit ekonomik të vendit në tregjet globale.
- Mbështetjen e shtuar për prodhuesit që synojnë zgjerimin ndërkombëtar.
Sipas OEK-ut, ky është një moment krenarie për çdo produkt që mban emrin "Made in Kosova", duke i dhënë një dimension të ri dhe më profesional prezantimit të ekonomisë kosovare në arenën ndërkombëtare.



