Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë dhe aktualisht kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka adresuar kritika të ashpra lidhur me gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke theksuar nevojën për reforma rrënjësore dhe rritje të efikasitetit.

Në emisionin 'DPT te Fidani' në Klan Kosova, Agani mbrojti punën e tij gjatë mandatit 2011–2014. Ai kujtoi se gjatë asaj kohe janë vënë bazat e institucioneve kyçe, duke përfshirë themelimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe funksionalizimin e pesë odave të profesionistëve shëndetësorë.

"Me përgjegjësi po e them, sepse megjithatë kam përvojë institucionale," deklaroi Agani. Ai theksoi gjithashtu se gjatë mandatit të tij, Instituti Onkologjik u vu në funksion të plotë, duke ofruar shërbime që më parë mungonin për qytetarët.

Megjithatë, Agani vlerësoi se sistemi aktual po përballet me sfida serioze në organizim. Ai u zotua se, nëse merr besimin e qytetarëve, brenda dy mandateve do të arrinte ta transformonte sistemin shëndetësor të Kosovës.

Vizioni i tij përfshin kthimin e Kosovës në një destinacion të turizmit shëndetësor. Agani beson se përmes përmirësimit të shërbimeve, Kosova do të mund t'i tërheqë qytetarët e saj që jetojnë në shtetet perëndimore, të cilët aktualisht shfrytëzojnë sigurimet shëndetësore jashtë vendit.