Ardian Gjini, kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë thirrje që vendi të dalë sa më parë nga ajo që ai e quan "kurthi serb".
Sipas Gjinit, Kosova nuk duhet ta ndërlidhë zhvillimin e saj ekonomik me çështjen e Serbisë. Ai kritikoi ata që e bëjnë Serbinë pjesë të vendimmarrjes së brendshme, duke vlerësuar se një qasje e tillë nuk i shërben vendit.
Në aspektin e sigurisë, Gjini u shpreh i bindur se prania e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s është pengesa kryesore për çdo kërcënim. "Këmba e ushtarit serb nuk mund të shkelë në Kosovë përderisa është Amerika," tha ai.
Ai gjithashtu nënvizoi se marrëdhëniet mes popullit të Kosovës dhe SHBA-së janë të pathyeshme. "Një qeveri është e vogël për ta prishur popullin e Kosovës me Amerikën," deklaroi kandidati për kryeministër.
Duke folur për borxhin historik, Gjini theksoi se Serbia i ka një borxh moral dhe fizik Kosovës. Ai kërkoi që ky fakt të mos harrohet kurrë dhe se rruga e zhvillimit të Kosovës duhet të ndërtohet pavarësisht Serbisë.



