Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime ka mbështetur njëzëri kandidaturat e Artin Islamit dhe Feuzi Xhaferit për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut. Propozimi u miratua me shtatë vota "për", pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur.

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, i cili paraqiti propozimin, vlerësoi se përvoja dhe profesionalizmi i kandidatëve janë kyçe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Islami dhe Xhaferi u përzgjodhën nga një listë prej shtatë kandidatësh që morën pjesë në konkurs. Komisioni nuk i kaloi kandidatët e tjerë: Sabedin Dauti, Shpresa Dauti, Elvir Iseini, Fatmir Emrullai dhe Fadil Xhelili.

Ky është tentimi i tretë për të plotësuar këto pozita. Për t'u bërë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, kandidaturat e tyre duhet të marrin edhe miratimin përfundimtar në seancën plenare të Kuvendit.