Tiranë, 1 qershor 2026 — Kryeqyteti shqiptar u përfshi sot nga një valë protestash, ndërsa qytetarët dhe aktivistët ambientalistë dolën në rrugë për të shprehur revoltën e tyre ndaj ndërtimeve në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Marshimi nisi nga sheshi "Skënderbej" dhe u ndal para Ministrisë së Brendshme, ku protestuesit rrethuan godinën me tel me gjemba.
Ky veprim simbolik pasoi një incident të rëndë në Zvërnec, ku një protestues u dhunua nga rojet e një kompanie private sigurie. Pas ngjarjes, policia e Vlorës ka ndaluar personat e përfshirë në dhunë, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.
Pas tubimit te Ministria e Brendshme, turma marshoi drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe duke mbajtur pankarta me thirrjet "Shqipëria nuk është në shitje" dhe "Anulo projektin".
Nga Berati, kryeministri Edi Rama mbrojti politikat e qeverisë së tij, duke theksuar se Partia Socialiste ka zgjeruar ndjeshëm zonat e mbrojtura, të cilat sot përbëjnë rreth 20% të territorit të vendit.
"Parku Kombëtar i Vjosës ka qenë pjesë e programit tonë. Ne e kemi vënë në mbrojtje," tha Rama, duke i cilësuar protestat si rezultat i verbërisë dhe keqinformimit. Lidhur me Zvërnecin, kryeministri sqaroi se zona mbetet e mbrojtur e kategorisë së pestë.
"Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur, kështu është edhe sot, kështu do të jetë edhe nesër," deklaroi ai, duke hedhur poshtë akuzat për shkatërrim të biodiversitetit.



