Kryeministri Hristijan Mickoski ka drejtuar kritika të ashpra ndaj liderit të opozitës, Venko Filipçe, duke e quajtur atë "analfabet politik" lidhur me debatin për procesin e integrimit evropian të vendit.
Konfrontimi buron nga interpretimet e ndryshme mbi afatet e Agjendës së Reformave për Ballkanin Perëndimor. Ndërsa opozita pretendonte se afati kishte skaduar më 1 qershor, Kryeministri sqaroi se afati i vërtetë për përmbushjen e pikave të agjendës është 30 qershori.
"Më vjen keq kur analfabetë politikë denjojnë të japin komente të tilla sepse afati nuk është 1 qershori por 30 qershori. Kjo është mosnjohje elementare," deklaroi Mickoski.
Duke mbrojtur performancën e qeverisë së tij, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut është "frontrunner" (prijëse) në Ballkanin Perëndimor për sa i përket zbatimit të reformave. Sipas tij, vendi renditet i pari në rajon, i ndjekur nga Shqipëria në vendin e dytë dhe Mali i Zi në të tretin.
Kryeministri shtoi se ky përparim i ka mundësuar vendit të shfrytëzojë pjesën më të madhe të mjeteve financiare nga BE-ja. Ai shprehu optimizëm se të paktën 90% e reformave, përfshirë ato që janë në "periudhë shtyrjeje", do të përmbushen deri në fund të muajit.



