Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka mbërritur pasdite në Shkup, në një ndalesë kyçe të turit të tij diplomatik në Ballkanin Perëndimor. Në aeroport, ai u prit nga ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski.
Ministri Mucunski theksoi se kjo vizitë është një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer pikëpamje mbi perspektivën evropiane të vendit, agjendën e reformave dhe hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Menjëherë pas mbërritjes, Presidenti Costa u nis drejt ndërtesës së Qeverisë për takime me kryeministrin Hristijan Mickoski. Axhenda parashikon një takim kokë më kokë, të ndjekur nga bisedime të zgjeruara midis delegacionit qeveritar dhe përfaqësuesve të Këshillit Evropian.
Kosta dhe Mickoski pritet të mbajnë së shpejti një konferencë të përbashkët për media. Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të angazhimit të Kostës për të koordinuar liderët rajonalë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Samiti do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, ku Kosta do të jetë bashkëkryesues. Pas qëndrimit në Shkup, Presidenti i Këshillit Evropian do të udhëtojë nesër drejt Prishtinës, të enjten do të vizitojë Beogradin, ndërsa turneun do ta përmbyllë në Mal të Zi.



