Fëmijë të të gjitha moshave u bënë bashkë paradite në Prishtinë për të shënuar nisjen e Javës Olimpike, një nismë që synon promovimin e sportit dhe shëndetit fizik.
Me këtë aktivitet, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) synon që t'i largojë vogëlushët nga përdorimi i tepërt i telefonave dhe t'i orientojë ata drejt sportit. Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, konfirmoi se këto aktivitete po zhvillohen në 26 komuna të ndryshme, duke theksuar se fokusi kryesor është zhvillimi i të vegjëlve.
Përveç aktiviteteve aktuale, zyrtarët njoftuan se po bëhen përgatitje intensive për Lojërat Mesdhetare 2030, ku Prishtina është nikoqire.
Kryeqyteti do të jetë qendra kryesore e këtij organizimi, ndërsa u konfirmua se ceremonia e hapjes do të mbahet po ashtu në Prishtinë. Ky event vlerësohet si një mundësi e madhe për zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.



