Valmir Matoshi, ylli 22-vjeçar i FC Thun, ka regjistruar paraqitjen e tij të parë me fanellën e Kombëtares së Kosovës. Debutimi i tij erdhi në ndeshjen miqësore të zhvilluar të dielën kundër Republikës së Çekisë.
Vendimi i Matoshit për të përfaqësuar Kosovën ka tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane. Duke qenë se ai më parë ishte pjesë e kombëtares U21 të Zvicrës, mediat atje e kanë krahasuar këtë lëvizje me zgjedhjet e fundit të Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahit.
Këto vendime kanë nxitur debate të shumta në Zvicër, ku lojtarët janë vënë shpeshherë nën presion për zgjedhjen e tyre. Megjithatë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e sheh Matoshin si një element kyç për të ardhmen e futbollit dardan.
Matoshi vjen pas një sezoni shumë të suksesshëm me klubin e tij. Ai ka zhvilluar 35 ndeshje, duke shënuar 6 gola dhe duke dhuruar 4 asistime, shifra këto që konfirmojnë potencialin e tij në rritje.



