Policia Financiare e Maqedonisë së Veriut, në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka zhvilluar sot një sërë bastisjesh në shtëpi, objekte afariste dhe lokacione të tjera në disa pjesë të vendit.
Ky aksion është realizuar me urdhër të gjykatës në kuadër të një parahetimi për vepra penale të krimit financiar dhe korrupsionit. Sipas Policisë Financiare, ekzistojnë dyshime se zyrtarë dhe persona të tjerë kanë keqpërdorur pozitën, ndikimin dhe reputacionin e tyre për të siguruar përfitime të paligjshme pasurore me vlerë të konsiderueshme.
Në kuadër të operacionit, disa persona janë privuar nga liria. Ndërsa hetimet vazhdojnë, Prokuroria ka konfirmuar se aksioni është në zhvillim e sipër, por nuk ka dhënë detaje mbi identitetin e personave të ndaluar.
Ndonëse disa media online kanë raportuar jozyrtarisht se në mesin e të ndaluarve është edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev, dhe se është bastisur shtëpia e tij, autoritetet nuk i kanë konfirmuar këto raportime. Prokuroria ka theksuar se nuk mund të jepen më shumë detaje në këtë fazë për të mos dëmtuar procesin hetimor.



