Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka dhënë detaje mbi një operacion të suksesshëm antidrogë, ku janë sekuestruar rreth 26 kilogramë substancë e dyshuar si marihuanë.
Tre persona janë arrestuar në orët e mëngjesit të datës 1 qershor 2026, pasi substancat narkotike u gjetën gjatë një kontrolli rutinë në një veturë. Operacioni është zhvilluar në zonat e Zveçanit dhe Jarinjës.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Ata po hetohen për veprën penale "blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge".
Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se brenda afateve ligjore do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës penale.



