Çmimet e larta të karburanteve po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi buxhetet e familjeve në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët shprehen se kostot aktuale nuk përputhen me standardin e tyre të jetesës.

Në një anketë të kryer së fundmi, banorët theksuan se me pensionet dhe pagat aktuale, përdorimi i rregullt i makinave është bërë një luks i vështirë për t'u përballuar. "Për një pension prej 250 eurosh, mbijetesa është sfida kryesore, e lëre më karburanti," u shpreh një qytetar.

Ndonëse autoritetet kanë pretenduar vazhdimisht se vendi ka çmimet më të ulëta në rajon, masat e mëparshme si ulja e TVSH-së janë shfuqizuar tashmë. Aktualisht, në fuqi ka mbetur vetëm akciza e reduktuar për naftën.

Së fundmi, kompania OKTA ka njoftuar një zbritje prej dy denarësh për litër, por kjo vlen vetëm për benzinën. Qytetarët mbeten skeptikë dhe kërkojnë ndërhyrje më të fuqishme nga shteti për të përmirësuar fuqinë blerëse.