Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i tij. Vendimi vjen pas muajsh tensionesh dhe mosmarrëveshjesh brenda koalicionit VLEN, lidhur me mënyrën e funksionimit dhe shkrirjes së partisë.

Në dokumentin e dorëheqjes, Fetai falënderoi kryeministrin Hristijan Mickoski për mundësinë e kontributit në agjendën qeveritare. Ai theksoi se është krenar për finalizimin e projektligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili synon të rregullojë një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.

"Jam veçanërisht krenar që, përmes angazhimit tonë të përbashkët, kemi dorëzuar në procedurë parlamentare projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat," deklaroi Fetai. Ai shtoi se në rrethanat aktuale nuk ekzistonin më kushtet për të ushtruar funksionin me efektivitetin e kërkuar, duke e quajtur dorëheqjen si vendimin më dinjitoz.

Edhe pse dorëheqja u zyrtarizua sot, Fetai prej muajsh nuk merrte pjesë në seancat qeveritare për shkak të krisjes me udhëheqjen e VLEN-it. Konflikti lindi pasi ai kundërshtoi modelin e udhëheqjes me dy kryetarë, duke u lënë mënjanë nga figurat e tjera të koalicionit.

Kryeministri Mickoski ka bërë të ditur se Fetai ka shprehur synimin për t'u kthyer në Bruksel. Ekziston mundësia që përvoja e tij të shfrytëzohet në të ardhmen për pozitën e të dërguarit special në administratën e Brukselit.