Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë asnjë mision zyrtar vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 7 qershor. Për dallim nga proceset e kaluara, zgjedhjet e këtij viti do të zhvillohen pa një mision të dedikuar të BE-së.

Zyra e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dhënë sqarime pas spekulimeve se ftesa drejtuar Brukselit ishte injoruar. Në një reagim zyrtar, Presidenca bëri të ditur se BE-ja ka njoftuar se afati i shkurtër për organizimin e zgjedhjeve e ka bërë të pamundur dërgimin e një Misioni Vëzhgues ose të Ekspertëve Zgjedhorë.

"Zyra e Presidentes ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, në të cilën theksohet se, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë," thuhet në njoftim.

Pavarësisht kësaj, BE-ja ka bërë të qartë se po koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e votimit. Kjo do të realizohet përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të pranishëm në vend.

Presidenca e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se kërkesa e saj është injoruar. "Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike," thuhet në fund të reagimit.