Besnik Tahiri, kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ndaj një videoje të publikuar nga një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje, ku një fëmijë është detyruar të recitojë tekste politike.
Tahiri e ka cilësuar këtë veprim si një shkelje të vlerave familjare dhe traditës shqiptare. Sipas tij, përfshirja e fëmijëve në tubime të tilla është një "keqpërdorim skajshmërisht" i të miturve për nevoja të marketingut politik.
"Vendosja e një fëmije që të recitojë një tekst, i cili në themel e godet traditën tonë, vetëm për t'i thënë 'Albin baba', është e papranueshme," deklaroi Tahiri. Ai theksoi se një fëmijë nuk duhet të përdoret si mjet për të glorifikuar liderin politik.
Duke iu referuar shprehjes "Albin baba", Tahiri e shfrytëzoi rastin për të kritikuar qeverisjen e Kurtit. Ai u shpreh se, përkundër titujve të tillë, kryeministri e ka lënë Kosovën "jetim" në rrafshin ndërkombëtar.
Tahiri pretendoi se raportet e Kosovës me Shqipërinë dhe me shtetet aleate që ndihmuan lindjen e shtetit janë dëmtuar rëndë gjatë mandatit të fundit. Ai e akuzoi Kurtin se, derisa buzëqesh para fëmijëve në tubime, vendi po përballet me izolim diplomatik.



