Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë për menaxhimin e buxhetit dhe mospërmbushjen e premtimeve zgjedhore. Tahiri veçoi ndërtimin e çerdheve si një premtim që, pas pesë vitesh, ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar.
Fokus kryesor i debatit ishte vendimi i qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për kategori të caktuara. Sipas Tahirit, 63 milionë eurot e alokuara për këtë qëllim do të kishin pasur një ndikim shumë më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit po të ishin investuar në sektorë të tjerë.
"A e dini çfarë do të bëhej me 63 milionë euro? Të investoheshin te fermerët, te serrat, te bizneset e vogla," deklaroi Tahiri. Ai pyeti se përse duhet të bëhen këto pagesa kur vendi ende përballet me sfida të mëdha lidhur me pagën minimale.
Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të reflektojnë mbi këto vendime. Ai theksoi se shqetësimi i tij nuk buron nga inatet politike, por nga nevoja për një qeverisje më të përgjegjshme që kërkon besimin e qytetarëve për zhvillim real.



