Në një tubim të madh në Rahovec, Presidentja Vjosa Osmani, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një mandat të dytë, ka dërguar mesazhe të forta për drejtimin e vendit. Ajo vlerësoi lart kontributin e qytetarëve të kësaj zone, duke theksuar se këto zgjedhje janë moment përcaktues për të ardhmen e Republikës.

"Po vendoset për modelin e shtetit që do ta kemi për dekadat që vijnë: nëse do të kemi një Republikë me institucione që balancojnë njëra-tjetrën, apo një sistem ku çdo gjë varet nga një dorë e vetme politike," deklaroi Osmani para të pranishmëve.

Sipas Presidentes, Kosova nuk mund të humbë kohë në cikle të pafundme tensionesh politike. Ajo bëri thirrje për një qeverisje që ndërton dhe ofron siguri, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për lidership që nuk eksperimenton me të ardhmen e qytetarëve.

Gjatë këtij tubimi, Osmani prezantoi kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun. Ajo e cilësoi atë si përfaqësues të një gjenerate të re, të shkolluar dhe të dëshmuar, i cili posedon përvojën e nevojshme ekzekutive për të udhëhequr me rezultate konkrete.

Në pjesën e fundit të fjalimit, Presidentja vuri theksin te fuqizimi i familjes dhe rolit të gruas. Ajo u shpreh se politika e re e LDK-së e vendos familjen në qendër të shtetit, duke garantuar se shteti do të jetë partner dhe mbështetës për secilin qytetar.