Artin Islami dhe Feuzi Xhaferi kanë kaluar me sukses filtrin e komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, duke u hapur rrugën për t'u bërë anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut.
Me 7 vota "për" dhe asnjë kundër, kandidatët e propozuar nga deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, morën mbështetjen unanime të komisionit. Qoku theksoi se përvoja dhe profesionalizmi i tyre janë thelbësore për rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.
Kjo është hera e tretë që po bëhen përpjekje për të zgjedhur anëtarët e këtij institucioni kyç, pasi dy përpjekjet e mëparshme nuk arritën të finalizohen. Nga shtatë kandidatët që kishin aplikuar në konkurs, pesë të tjerë nuk arritën të kalojnë filtrin: Sabedin Dauti, Shpresa Dauti, Elvir Iseini, Fatmir Emrullai dhe Fadil Xhelili.
Kandidaturat e miratuara tashmë duhet të marrin dritën jeshile edhe në seancën plenare të Kuvendit për t'u zyrtarizuar.



