Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestave të zhvilluara në Tiranë lidhur me projektet e investimeve në zonën e Zvërnecit. Përmes një ftese të hapur, kreu i qeverisë u ka kërkuar protestuesve që të caktojnë një përfaqësi prej jo më shumë se 20 personash për një bashkëbisedim publik, ku mund të diskutohet mbi transparencën, investimet e huaja dhe mbrojtjen e natyrës.

Megjithatë, Rama nuk ka kursyer ironinë ndaj thirrjeve të protestuesve. Ai ka kritikuar ashpër përfshirjen e çështjeve familjare në protestë, duke theksuar se këto të fundit duhet të mbeten tërësisht private dhe jashtë arenës politike.

"Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar," u shpreh Rama, duke shtuar se nëse protestuesit nuk e pranojnë ftesën për dialog, qeveria do të vazhdojë rrugëtimin e saj. Ai rikonfirmoi objektivin kryesor të qeverisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

Kryeministri theksoi se zgjedhja mbetet e protestuesve: ose bashkëpunim dhe dialog për çështjet publike, ose vazhdimi i ndarjes së roleve, ku ai mbetet në krye të punëve të shtetit ndërsa protestuesit vijojnë tubimet e tyre.