Haxhi Avdyli, ish-deputet i Listës Guxo dhe anëtar me përvojë i Komisionit për Shëndetësi, ka hedhur poshtë deklarimet e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, mbi hyrjen në fuqi të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Në një paraqitje në emisionin "DPT te Fidani" në Klan Kosova, Avdyli e cilësoi këtë nismë si një "mashtrim".
"Si kryetar i Komisionit për Shëndetësi dhe anëtar i vjetër i këtij komisioni, mund të them që edhe ky është një mashtrim, për shkak se Ligj për Sigurime Shëndetësore kemi më shumë se një dekadë," deklaroi ai.
Sipas Avdylit, ndonëse Fondi ekziston në letër, sigurimet shëndetësore reale mungojnë. Ai shprehu bindjen se ky njoftim është bërë për qëllime elektorale dhe se çështja do të lihet pas dore sapo të përfundojnë zgjedhjet.
"Fondi ekziston, por sigurime nuk kemi dhe besoj që kjo pas zgjedhjeve ka me u harru," tha ai, duke shtuar se ka punuar gjatë për të nxitur miratimin e një ligji të ri dhe funksional për këtë fushë.



