Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga Irani lidhur me raportimet se Teherani ka pezulluar bisedimet e paqes. Ai i bëri këto komente gjatë një bisede të shkurtër për NBC News.
Sipas tij, deklaratat e fundit nga ana iraniane janë më tepër një taktikë negociuese. Trump vlerësoi se iranianët janë "negociatorë më të mirë sesa luftëtarë".
Pavarësisht tensioneve, Presidenti theksoi se kjo situatë nuk nënkupton një përshkallëzim të menjëhershëm ushtarak. "Kjo nuk do të thotë që ne do të shkojmë dhe do të fillojmë të hedhim bomba kudo atje," u shpreh ai, duke shtuar se "heshtja do të ishte shumë më e mirë" në këto momente.
Deklaratat vijnë pasi agjencia iraniane Tasnim raportoi se negociatorët e Iranit kanë ndërprerë çdo komunikim me ndërmjetësit. Gjithashtu, agjencia bëri të ditur se Irani ka ndërmarrë hapa për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit dhe po shqyrton mundësinë e kërcënimit të Ngushticës Bab al-Mandeb, një korridor jetik për tregtinë ndërkombëtare.



