Niveli i ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit mendor dhe emocional të grave mbetet ende i pamjaftueshëm, ndërsa shumë gra vazhdojnë të hezitojnë të kërkojnë ndihmë nga institucionet kompetente. Kjo çështje u diskutua gjerësisht në një konferencë të fundit, ku u kërkua integrimi i shëndetit mendor të nënës në politikat publike dhe sigurimi i mbështetjes psikosociale të qasshme.
Borjan Pavllovski nga Shoqata ESE theksoi nevojën për edukim më të madh lidhur me mëmësinë dhe shtatzëninë e shëndetshme. "Qartazi është e nevojshme që më shumë të flitet për këtë temë pasi problemi është shumë i përhapur; 1 në 5 gra vuan nga depresioni pas lindjes," deklaroi Pavllovski. Ai shtoi se shëndeti mendor mbetet një temë tabu, duke bërë që gratë të ndjehen të turpëruara dhe të izoluara.
Nga Qendra për Hulumtim "Reaktor", theksuan se shëndeti mendor ende nuk trajtohet si pjesë përbërëse e shëndetit të përgjithshëm, pavarësisht ekzistencës së planeve strategjike. Ana Bojçevski Mitrevska nga "Reaktor" vuri në dukje se nënat janë më të prira ndaj vështirësive psikologjike për shkak të faktorëve të ndryshëm socialë.
"Problemi që kemi identifikuar është se edhe kur ka njohuri, nuk ka udhëzime të qarta për atë se ku mund të drejtohet një nënë për të gjetur mbështetje," tha Bojçevski Mitrevska. Pjesëmarrësit theksuan se shteti ka përgjegjësinë kryesore për të siguruar mbështetje të përballueshme dhe cilësore për gratë gjatë dhe pas shtatzënisë.



