Rrugët e komunës së Çairit në Shkup janë shndërruar në një mjedis të rrezikshëm për çiklistët dhe përdoruesit e trotinetëve elektrikë. Vëzhgimet e fundit tregojnë një dështim sistemik në planifikimin urban: korsitë e biçikletave shpesh bllokohen nga veturat e parkuara, duke i detyruar ngasësit të lëvizin në trafik të dendur.

Ky mungesë e infrastrukturës është veçanërisht e dukshme në rrugët kryesore si "Cvetan Dimov", ku mungesa e korsive të mbrojtura i detyron qytetarët të lëvizin krahas veturave, shpesh edhe në drejtim të kundërt. Situata nuk është më e mirë as në rrugët "Kemal Sejfulla" dhe "Vtora Makedonska Brigada", ku bllokimet nga veturat janë bërë dukuri e përditshme.

Shaip Rrahman, një qytetar që e përdor biçikletën për punë prej dy dekadash, shprehet: "Është shumë e rrezikshme për të vozitur biçikletë pasi shumica e njerëzve s’e kanë kulturën për të vozitur biçikletë". Sipas tij, infrastruktura është e pamjaftueshme për të garantuar sigurinë e çiklistëve.

Kostoja njerëzore Të dhënat zyrtare tregojnë për një realitet shqetësues. Gjatë pesë viteve të fundit, aksidentet me biçikleta dhe motoçikleta kanë shkaktuar 42 të vdekur dhe mbi 1200 të lënduar, prej të cilëve 307 me lëndime serioze.

Përgjigjja e Komunës Zyrtarët e Komunës së Çairit pohojnë se po punojnë për përmirësimin e gjendjes. Ata përmendin realizimin e korsive në rrugët "Adem Demaçi" dhe "Kemal Sejfulla", ndërsa theksojnë se janë në realizim e sipër korsitë në rrugët "Ferid Murad" dhe "Mit’hat Frashëri". Megjithatë, derisa të përmirësohet mbikëqyrja ndaj parkimit të paligjshëm, këto përpjekje mbeten të pamjaftueshme.